Presidenti Thaçi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Qeverisë që kufizon lirin e lëvizjes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mbajtur sot një konferencë për media, pas vendimit të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes për qytetarët, pa e shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Ai tha se për këtë temë iu është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim.

“Duke marrë parasysh rrethanat e reja pas vendimit të Qeverisë në këtë vendim antikushtetues, si president i vendit, unë vendosa që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë të interpretim të çështjes së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtat dhe lirive që mbrohen me kushtetutë. Pra parashtruesi i kërkesës është presidenti. Do ta bëjmë publike edhe kërkesën që iu është dërguar Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Thaçi.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se askush nuk qëndron mbi kushtetutën e Kosovës.

“Ajo çka dua të them është sesi president i vendit, duke respektu në tërësi mandatin tim, kemi kërkuar që të ardhme të afërt, kemi bërë kërkesë për masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa sa i përket zhvillimeve tjera përsëri e theksoj se mbi kushtetutën e Kosovës nuk qëndron askush. Ftoj edhe njëherë për unitet qytetar, për kujdes maksimal”, ka shtuar ai.

Thaçi u ka kërkuar qytetarëve që t’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

“Dëgjoni me kujdes rekomandimet e IKSHPK-së. Këto rekomandime janë përtej çdo agjende politike, janë rekomandime për jetët tona. Mënyra më e mirë për ta luftuar COVID-19, është rrini në shtëpi”, tha Thaçi.