Sunny Hill Festival

Presidentja Osmani dënon thirrjet antishqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut – Rumani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj thirrjeve antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes Maqedoni e Veriut – Rumani në Kumanovë, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe cenim të frymës së bashkëjetesës. 

Ajo kritikoi mungesën e reagimit nga autoritetet në Shkup, duke theksuar se sporti duhet të bashkojë e jo të nxisë urrejtje. 

Osmani kërkoi masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve dhe u zotua për mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve kudo që ndodhen.

“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, deklaroi Osmani.

Osmani kërkoi masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve dhe u zotua për mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve kudo që ndodhen.

“Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen. U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, tha ajo.