Xhavit Haliti

Presidentja Osmani pret në takim tre liderët e opozitës

Tre liderët opozitarë pritet të takohen sot me presidenten në largim Vjosa Osmani, ka mësuar Paparaci nga burime të mirëinformuara.

Takimi i Osmanit me tre liderët e opozitës parlamentare, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajt është caktuar për të hënën pasdite.

Në këtë takim do të mungojë kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili nuk ka marrë ftesë për këtë takim.

Siç merr vesh Paparaci, në agjendën e takimit pritet të jetë çështja e anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Takimi i presidentes me tre kryetarët e partive opozitare, i ftuar kryesisht për çështjen e Bordit të Paqes, zhvillohet në një periudhë kur Osmani po bën fushatë për rizgjedhjen presidente.

Më 22 janar të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në ceremoninë e lansimit në Davos të Bordit të Paqes, një mekanizmi ndërkombëtar të iniciuar nga presidenti i ShBA-ve Donald Trump për rindërtimin e Gazës, si dhe për trajtimin e çështjeve të tjera gjeo-politike.

Kosova, e përfaqësuar nga Osmani, ishte ndër shtetet themeluese të këtij trupi ndërkombëtar.

Osmani e ndërmorri këtë hap pa u konsultuar me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sipas raportimit të gazetës prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).

Siç raportoi FAZ të mërkurën e javës së shkuar, Kosova u bë pjesë e ceremonisë së lansimit të Bordit të Paqes me ndërmjetësimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, një rivali politik të Kurtit.

Kurti, ndonëse ndodhej në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Davos, nuk mori pjesë në themelimin e Bordit të Paqes. Ai, as nuk ishte prezent në audiencën e ceremonisë së mbajtur më 22 janar.

Kur u pyet nga një medium në Shqipëri pse ishte ajo e jo Kurti në themelimin e Bordit, presidentja në largim tha se në bazë të Kushtetutës, është presidenti që udhëheq politikën e jashtme.