Presidentja Vjosa Osmani, mbajti një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike.
Ajo bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar disa çështje, transmeton Telegrafi.
“Diskutuam në qoftë së dikush nga partitë politike që ishin të ulura rreth asaj tavoline, e kanë shumicën për të krijuar Qeveri apo jo. Besoj i keni dëgjuar liderët politikë rreth qëndrimit të tyre, disa kishin qëndrime se nuk mund të krijohet shumica, disa kishin qëndrime se mund të takohemi sërish. Ne kemi 10 ditë nëse mandatohet mandatari i dytë, ky afat skadon më 5 nëntor. Deri në atë datë do të komunikojë me kryetarët e partive politike”, theksoi ajo.
Presidentja e vendit tha se sa i përket mandatarit të parë është e qartë se i takon vetëm partisë së parë që ka dalë në zgjedhje, ndërkaq nuk ka kufizim se cila parti mund të propozojë mandatarin e dytë.
Sipas saj, Kushtetuta mandatarin e dytë e lejon në diskrecion të presidentes, të vendos se kujt do t’ia jap.
Osmani u shpreh se thuhet edhe në kushtetutë edhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese se fjala është mandatar tjetër, mirëpo siç tha ajo “nuk mund të paragjykoj me çfarë propozimi do të vijë LVV dhe a do të vijë me propozim apo jo”.
“…Sepse sot thjesht u kërkua kohë për një takim tjetër të radhës që gjithsesi është brenda afateve kushtetuese sepse për këtë konsultim kemi kohë deri më 5 nëntor”, u shpreh presidentja.
Ajo theksoi se në pjesën e parë të javës që vjen dihet nëse do të ketë propozim të ri, por sipas saj duhet të ezaurohen të gjitha mundësitë para zgjedhjeve.
Presidentja po ashtu tha se kanë biseduar edhe për buxhetin e vitit 2026, por që nuk ka pasur pajtueshmëri nga shumica e përfaqësuesve politike.
Ajo tha se kanë shikuar për mundësitë tjera për buxhetin, në mënyrë që vendi të mos mbetet pa buxhet.