Kosova pritet të ketë inflacionin më të lartë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2026, ndërsa rritja ekonomike parashikohet të ngadalësohet lehtë krahasuar me vitin paraprak.
Kështu bëhet e ditur në projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të publikuara në raportin “World Economic Outlook”.
Sipas të dhënave të FMN-së (projeksione), inflacioni në Kosovë parashikohet të arrijë në 6.8 për qind gjatë vitit 2026, nga 3.9 për qind sa vlerësohet për vitin 2025. Kjo paraqet një rritje prej 2.9 pikë përqindjeje brenda një viti.
Me këtë nivel, Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor për nga inflacioni i parashikuar për vitin 2026.
Pas Kosovës, inflacioni më i lartë parashikohet në Bosnjë dhe Hercegovinë, me 5 për qind, ndërsa në Maqedoninë e Veriut pritet të jetë 4 për qind.

Në Mal të Zi, inflacioni parashikohet të jetë 3.5 për qind, në Shqipëri 3.2 për qind, ndërsa Serbia pritet të ketë normën më të ulët në rajon, prej 3.1 për qind.
FMN parashikon që presionet e inflacionit në Kosovë të bien gjatë vitit 2027, kur norma e inflacionit pritet të bjerë në 4.5 për qind.

Rritja ekonomike e Kosovës parashikohet 3.5 për qind
Sa i përket zhvillimit ekonomik, FMN parashikon që ekonomia e Kosovës të rritet me 3.5 për qind gjatë vitit 2026, nga 3.6 për qind sa vlerësohet për vitin 2025.
Kjo paraqet një ngadalësim të lehtë të aktivitetit ekonomik, prej 0.1 pikë përqindjeje, ndërsa për vitin 2027 parashikohet rikthimi i rritjes ekonomike në 3.6 për qind.
Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova pritet të ketë të njëjtën normë të rritjes ekonomike me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat gjithashtu parashikohet të shënojnë rritje prej 3.5 për qind gjatë vitit 2026.

Ndërkohë, ekonomia e Serbisë parashikohet të rritet me 3.3 për qind, ajo e Malit të Zi me 3 për qind, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina pritet të ketë rritjen më të ulët ekonomike në rajon, prej 2.3 për qind.
Këto të dhëna tregojnë se, ndonëse Kosova parashikohet të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ajo njëkohësisht pritet të përballet me inflacion dukshëm më të lartë se vendet e tjera të rajonit.
Parashikimet për vitin 2027
Për vitin 2027, FMN parashikon që rritja ekonomike e Kosovës të arrijë në 3.6 për qind, ndërsa inflacioni të ngadalësohet në 4.5 për qind.
Në të njëjtën periudhë, Serbia parashikohet të ketë rritje ekonomike prej 4 për qind, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nga 3.2 për qind, Mali i Zi 2.8 për qind dhe Bosnja dhe Hercegovina 2.6 për qind.
Në aspektin e inflacionit, për vitin 2027 Kosova dhe Maqedonia e Veriut parashikohen të kenë norma prej 4.5 për qind, Serbia 4.2 për qind, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nga 3.3 për qind, ndërsa Shqipëria 3.2 për qind.
Të dhënat e FMN-së tregojnë se sfida kryesore për ekonominë e Kosovës gjatë vitit 2026 pritet të jetë përshpejtimi i inflacionit, në një periudhë kur rritja ekonomike parashikohet të mbetet relativisht e qëndrueshme. /Telegrafi/