Projektligji për Pagat, thirrja nga Asociacioni i Komunave: Të miratohet sa më shpejt, që të evitohen grevat

Projektligji për Pagat dhe ai për Zyrtarët Civilë janë proceduar. Kështu ka bërë të ditur pesë ditë më parë ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.

Ndonëse pritej që këto projektligje, sidomos ai për pagat të miratohej nga Kuvendi në sesionin pranveror, një gjë e tillë nuk ndodhë dhe tani ka mbetur që ai të votohet në sesion vjeshtor.

Kjo, sipas shefet së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, do të ndodhë qysh në fillim të sesionit vjeshtor të Kuvendit.

Se miratimi i Projektligjit për Pagat është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm vlerësojnë edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryetari i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, thotë për Gazeta Blic se mosmiratimi i këtij projektligji ka bërë që shumë kuadro ta lënë sektorin publik e madje edhe vendin.

“Sa më shpejt që miratohet ligji i pagave në Parlamentin e Republikës së Kosovës është i mirëseardhur, edhe për shërbimin civil në nivel lokal. Mosmiratimi i këtij ligji për disa vite me radhë ka bërë që kuadro të shumtë në nivel lokal të largohen nga komuna dhe të gjejnë punë në sektorin privat apo janë larguar jashtë shtetit. Gjithashtu, me mosmiratimin e këtij ligji, kuadro në fushën e shëndetësisë gjithashtu janë larguar dhe për këtë arsye mendoj që miratimi i këtij ligji është i domosdoshëm, sa më shpejt që është e mundur”, shprehet ai.

Ibrahimi thotë se si Asociacionin kanë dhënë rekomandimet për projektligjin përmes një grupi punues dhe tani u mbetet ta dinë vlerën e koeficientit.

“Ne si Asociacion kemi zgjedhur grupin punues në vazhdimin e këtij projektligjin, i kemi dhënë rekomandimet, kërkesat tona dhe tani jemi në pritje të marrjes së informatës sa i përket vlerës së koeficientit sepse vetëm kjo nuk dihet. Shumë kuadro nga shëndetësia, teknologjia informative, janë larguar nga Kosova për shkak se nuk e kemi pasur një ligj të tillë dhe me këto paga që janë ato kuadro nuk janë të interesuara të punojnë në ato fusha që Kosova ka nevojë”, thekson Sazan Ibrahimi për Gazeta Blic.

Lidhur me atë se a janë marrë parasysh rekomandimet e tyre ose nëse do të kenë të tjera rekomandime, ai thotë se do të kenë takime edh me kryetarët e komunave.

“Ne i kemi shpërndarë të dy projektligjet në nivelin lokal, projektligjin për paga dhe atë për shërbyesit civilë dhe jemi duke pritur nëse ka ndonjë koment apo rekomandim nga niveli lokal dhe padyshim që ne nëse kemi komente, rekomandime, do t’i takojmë përsëri kolegjiumet tona por gjithashtu patjetër edhe kryetarët e komunave nëse kanë ndonjë sugjerim apo vërejtje”, potencon Ibrahimi.

Ai shton se çdo vonesë apo mos votimi i këtij projektligji do të ketë për pasojë grevat, andaj ai bën thirrje që Projektligji për Pagat të votohet sa më shpejt.

“Ne kemi pasur kontakte me sindikatën e bashkuar të arsimit dhe e dimë që pasoja kryesore nga mos votimi i këtij projektligji janë grevat dhe në mënyrë që të evitohen këto greva, kuadrot deficitare dhe kuadrot e nevojshme, si në fushën e teknologjisë informative por edhe të shëndetësisë të rrinë në Kosovë, pasi nevoja për ta është shumë e madhe, ky projektligj duhet të miratohet sa më shpejt që është e mundur”, deklaron Ibrahimi.