Detaje të shumta për rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit, janë bërë të ditura pas publikimit të dosjes së prokurorisë lidhur me rastin për ndikim në dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në bazë të dosjes paraprake të ZPS-së, ish-presidenti Thaçi përmes vizitorëve në raste të ndryshme u ka dhënë udhëzime dëshmitarëve se çfarë të thonë, si të flasin, si të duken e edhe çfarë të lexojnë para dëshmisë.
Mesazhe për mënyrën se si duhet të dëshmojnë Bislim Zyrapi, Rrustem Mustafa, Nuredin Ibishi, Sylejman Selimi, Sokol Bashota e Shukri Buja i ka dhënë Hashim Thaçi vizitorëve të tij Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi sipas dosjes paraprake të prokurorisë.
Në dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se ish-presidenti Thaçi i tha ish-këshilltarit të tij politik dhe ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, që ta udhëzonte dëshmitarin Bislim Zyrapi të mos bëhej shumë i mençur.
Pjesë nga dosja:
“HASHIM THAÇI: Ai është i mençur – duhet të bëhet shumë i mençur, por jo shumë i mençur – i mençur për ta përmbledhur atë që do ta thuash. [zhurmë e lehtë e karriges]. Por jo aq i mençur sa ta lëshojë gjuhën aty.
BASHKIM SMAKAJ: Mos teorizo. [Nuk kuptohet].
HASHIM THAÇI: Mos e liro atje. Jo. Jo”.
ZPS-ja i ka bërë pjesë të dosjes citate nga përgjimet e Thaçit me të akuzuarit dhe persona të tjerë, ku pretendohej se ish-presidenti i sugjeroi Zyrapit të mos vijë si rebel, ta thjeshtojë e të mos e përziejë dëshminë e tij.
Zyrapit, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, sipas dosjes, Thaçi ia nisi përmes vizitorëve dhe mesazhin që nëse i përgjigjet gjykatës me fjalët “nuk më kujtohet”, askush nuk mund ta detyrojë të përgjigjet.
Në një moment sipas dosjes, Thaçi ishte konkret për atë se cila pjesë e dëshmisë së dëshmitarit 4 duhet të dalë ndryshe para gjykatës.
Pjesë nga dosja:
“HASHIM THAÇI: [Pëshpërit] Thuaji atij, “duhet ta ndreqësh këtë në rreshtin 9”. [Nuk kuptohet].
ISNI KILAJ: Hë?
HASHIM THAÇI: [Pëshpërit] [Nuk kuptohet] Këtu.
ISNI KILAJ: A ta shkruaj këtu?
HASHIM THAÇI: [Pëshpërit] [Nuk kuptohet] Këtu.
ISNI KILAJ: Po”
ZPS-ja pretendon se të akuzuarit ishin në dijeni se po bënin vepra penale në vizitat e tyre.
Në dosje, prokuroria e ka përfshirë edhe një audio-përgjim ku pretendohet se Thaçi, me ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-komandantin, Vllaznim Kryeziu, flisni për rrezikun se do të dënoheshin me burgim.
Pjesë nga dosja:
“ISNI KILAJ: Jam i kujdesshëm me këto gjëra, e di. [Nuk kuptohet]
HASHIM THAÇI: Këtu, me mua do të të sjellin! [Qesh].
VLLAZNIM KRYEZIU: Po.
ISNI KILAJ: S’ka gjë, mund të rri nja dy vjet, vetëm nja dy vjet”.
Në bazë të dosjes së prokurorisë, si Smakajt, ashtu edhe Kilajt iu gjetën letra ku shkruheshin udhëzime për dëshmitë e dëshmitarëve.
Në një nga letrat e shqyera që iu gjetën ish-shefit të inteligjencës kosovare në veturë, shkruhej se: Thaçi dhe të bashkakuzuarit e rastit për krime lufte Kadri Veseli e Jakup Krasniqi nuk ishin fare në Shtab të Përgjithshëm deri në nëntor të 98-s.
Citat nga dokumenti i Smakajt në dosjen paraprake:
“Kjo ishte përbërja e plotë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (Sokoli, Rexhepi – të dy studentë të Letërsisë – dhe Lahiu, punëtor në një agjenci udhëtimesh dhe tre anëtarë jashtë (Xhaviti, A. Syla dhe Xheladin Gashi – të tre pa përvojë ushtarake) […] Deri në nëntor të 1998-s, H.TH. dhe K.V. u morën me çështje të POLITIKËS DHE MEDIAVE, JO ME USHTRI ([“B”] nuk e pati parasysh fare rolin e Shtabit të Përgjithshëm te UÇK-ja si ushtri. Për pasojë, Hashimi dhe Kadriu në muajt mars, prill e maj, ashtu edhe Jakupi, nga qershori u morën me MEDIA DHE ME PUBLIKUN, pa qenë fare anëtarë të UÇK-së”.
ZPS-ja pretendon se këtë dokument e kishte shtypur Thaçi në qendrën e paraburgimit.
Sipas dosjes, një nga udhëzimet që i çoi Thaçi nga paraburgimi ishte për ish-komandantin e Zonës së Drenicës, Sylejman Selimin, duke i treguar për atë që duhej ta lexonte.
Udhëzimi, sipas ZPS-së ishte që dëshmitari t’i qëndronte besnik një interviste të Rexhep Selimit, ta lexojë librin e Blerim Shalës dhe intervistën që ia ka dhënë Shkëlzen Gashit në librin “Lufta dhe paqja” sepse në gjykatë do të përballej me atë intervistë.
Në dosjen paraprake të ZPS-së thuhet po ashtu se ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në kohën sa ishte anëtar i ekipit të Thaçit, i çoi mesazh në Whatssap ish-komandantit të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafës, duke e përgëzuar se e paraqiti një ide të qartë për luftën dhe vendin në intervistën e tij në KTV.