Propozimi i ZRRE-së për tarifat e reja të rrymës – sa pritet të rritet çmimi i faturave të rrymës?

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria e Kosovës efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesor të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kWh për muaj”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Në raport, ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh. Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE thotë se e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera. Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesor të paguajnë 9 për qind më shumë.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi nuk do të ketë rritje të tarifave për bizneset.

“Nuk pritet të ketë rritje të tarifës së energjisë elektrike, për kategorinë e bizneseve”, ka reaguar Rukiqi në Facebook.

Rritje e çmimit të rrymës me të njëjtën përqindje është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj. Për këtë propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

Bazuar në të dhënat e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), konsumi mesatar nga viti 2012 – 2020 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh në muaj është rreth 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar gjatë 2021-së për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh. Gjatë vitit, 44 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj.

Konsumatori me konsum 600 kWh në muaj paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit dhe 79 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës.

Reagimi i opozitës

Propozimi i ZRRE-së ka bërë që të reagoj opozita, ku këtë veprim e kanë quajtur paaftësi të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi në reagimin e tij ka thënë se për situatën e krijuar fajtore është Qeveria.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kosto e paaftësisë qeverisëse. Nga kjo paaftësi rëndohet mirëqenia e qytetarëve, sepse rritë koston e jetesës dhe dëmton gjepin e tyre. Ndërkaq, cilado kategori që preket nga kjo rritje në thelb prekë të gjithë pa përjashtim”, thuhet në reagimin e Gashit.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thirrur debat parlamentar pas ngritjes së çmimeve të konsumit dhe paralajmërimit për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Aleanca ka thirrur debat parlamentar për ngritjen enorme të çmimeve të artikujve elementar për këtë të enjte. Ndërkohë veç paska rrjedhur një propozim i ZRRE për shtrenjtimin e rrymës që për konsumatorin mesatar familjar mund të mbërrijë mbi 80 për qind. Kjo është e papërballueshme”, ka shkruar kryetari i AAK-së, Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa, për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut shtrenjtimi i rrymës mund të hapë rrugë për destabilizim social në Kosovë.

“Shtrenjtimi i paralajmëruar i energjisë elektrike i krijon të gjitha parakushtet për shprehje të pakënaqësisë qytetare në kërkim të një jete më të dinjitetshme dhe jo prapakthim siç do të ndodhë nëse Qeveria e Kosovës nuk do t’i rrisë pensionet por edhe pagat në përputhje me inflacionin dhe rritje të çmimeve të shportës së shpenzimeve për një familje”, thekson KMDLNJ.

Ministri Murati: Duhet ndryshuar sistemi tarifor

Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati gjatë një interviste për Telegrafin ka thënë se duhet ndryshuar sistemi tarifor në vend.

Murati ka theksuar se janë duke menduar një zgjidhje afatgjatë, sepse sipas tij nuk mund të shfrytëzohet çmimi i energjisë elektrike si për amvisëri, si për pajisje të kriptovalutave që për dikë është profitabile.

“Vendimi është i përkohshëm, por megjithatë unë mendoj se duhet ta mendojmë në afatgjatë ne këtë çështje. Duke e shfrytëzuar çmimin e energjisë elektrike që është i paraparë për amvisëri për t’i përmbushur nevojat bazike për ta ngrohur ambientin, apo për të zier ushqim, e ta shfrytëzojmë për dikë që është profitabile, atëherë o duhet të ndryshoj sistemi tarifor, që ata të kalojnë në një tarifë tjetër, o duhet të shihet një zgjidhje afatgjatë. Sepse edhe të kriptovalutat ka sisteme të ndryshme”, ka thënë Murati.

Në fund të vitit 2021, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike.

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlejë për 60 ditë.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. /Telegrafi/