Protesta në Shqipëri pas vrasjes së një 25-vjeçari nga Policia

Është tensionuar situata në protestën e organizuarpër vrasjen e të riut Klodian Rasha nga Policia shqiptare.

Pasi u përplasën me kordonin e Policisë përpara Ministrisë së Brendshme, protestuesit u zhvendosën tek Kryeministria.

Një pjesë e të pranishmëve kanë hipur në shkallët e Kryeministrisë dhe kanë hedhur sende të forta në drejtim të saj.

Më herët, protestuesit ndezën qirinj për të kujtuar të riun e vrarë dhe kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një efektiv policie gjatë ndjekjes, pasi ky i fundit dyshoi se ai kishte një armë në dorë.

Numri dy i Policisë së Shqipërisë, Albert Dervishaj, në një lidhje në “Top Talk” ka komentuar përfshirjen e policisë në vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha orët e para të datës 8 dhjetor.

Ai thotë se institucionet e policisë janë vënë në lëvizje për të zbardhur çështjen si Prokuroria e Rrethit Gjyqësor apo Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesat.

Dervishaj thekson se policia nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vrasëse por në krahun e qytetarëve. Ai thekson se ky imazh i krijuar me mund, gjak e sakrificë do të kurohet.

“Ngjarja e ditës së djeshme është një rast domethënës që çdo individ çdo punonjës duhet të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin, jemi të vendosur që të mos ketë dyshime që do të bien në dyshim me ligjin. Policia e shtetit nuk do të lejojë që imazhi i saj i ndërtuar me mund, sakrifica e gjak të cenohet nga veprime sporadike të izoluara të individëve të veçantë në shkelje të ligjit apo procedurave standarde të saj. Kemi filluar analizat në çdo drejtori vendore të policisë në të cilat do të evidentojmë të gjitha problematikat, ku kanë transmetuar apo konstatohen defekte të punës sonë, qoftë të përzgjedhjes qoftë të kontrollit, të garantojmë një plan program specifik të kësaj situatë. Ne nuk kemi pasur më parë një rast të tillë specifik. Është bërë e njohur se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor dhe Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesat kanë filluar hetimet, kanë kryer veprimet për këqyrjen e vendit të ngjarjes, është dhënë masë arresti në flagrancë të autorit dhe në ditët në vijim kjo masë do të vlerësohet. Për disa vite me radhë kam punuar dhe po punoj që të rris forcimin e besimit të publikut. Në veprimtarinë e saj policia nuk e ka në praktikë përdorimin e armës ndaj qytetarit. Policia, strukturat do të punojnë që ta kurojnë këtë imazh. Policia nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një polici vrasëse. E ka paguar me jetën e 202 punonjësve të saj të rënë në krye të detyrës”, tha Dervishaj.