Qeveria e Republikës së Kosovës ka publikuar programin zyrtar të manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, që do të mbahet më 17 shkurt.
Sipas njoftimit, aktivitetet nisin në orët e mëngjesit me ngritjen solemne të flamurit të Kosovës, për të vazhduar me mbledhjen solemne të Qeverisë. Më pas, krerët shtetërorë do të bëjnë nderime te Monumenti i të Pagjeturve.
Gjatë ditës janë paraparë homazhe te pllaka përkujtimore e fëmijëve të vrarë, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te ai i veprimtarit Adem Demaçi, si dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në kuadër të shënimit të kësaj date të rëndësishme shtetërore, do të mbahet edhe seancë solemne, ndërsa aktivitetet përmbyllen në mbrëmje me një koncert solemn nga Filharmonia e Kosovës.
Manifestimet e 17 shkurtit pritet të zhvillohen nën masa të rregullta organizative dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe qytetarëve.
