Qeveria do t’i mbulojë kostot për protezat e invalidëve të luftës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se Qeveria ka marrë vendim që t’i mbulojë kostot për protezat e invalidëve të luftës.

Qeveria të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e 194-të në mënyrë elektronike, ku është marrë vendimi “për mbulimin e trajtimeve mjekësore të personave me status të invalidit të luftës për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave”.

Këto shërbime, siç ka thënë Vitia në konferencë për media, nuk kryhen në institucionet shëndetësore publike.

“Jam shumë i lumtur që më në fund ky proces po funksionalizohet dhe po kthehet në binarë”, ka thënë Vitia, duke shtuar se janë duke punuar që ky shërbim të futet në institucionet shëndetësore publike.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar vazhdimisht që Qeveria t’i mbështet invalidët e luftës për pajisjen me proteza.