Qeveria ndan mbi 40 milionë euro për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve Hekuran Murati sot nё Mbledhjen e 31-tё tё Qeverisё ka propozuar ndarjen e 40.13 milionë euro për implementimin e masave nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Mjetet në fjalë ndahen nё katёr kategori të Pakos, pёrkatёsisht Masa 1 – Mbështetja e Punësimit, Masa 2 – Ringjallja e Ekonomisё dhe Prodhimit, Masa 3 – Mbështetja e Familjes dhe Masa 4 – Mbёshtetja pёr Publiken.

Përmes Masës 1 – Mbështetja e Punёsimit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve synon krijimin e vendeve të reja të punës, duke mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë punëkërkuesit. Nё zbatim tё kësaj mase janë ndarё mjete nё vlerё prej 15 milionё euro për Masën 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, Masën 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar, dhe Masën 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave. Pandemia ka nxjerrë në pah rëndësinë e punës së deklaruar dhe pagesës së rregulltë të kontributeve pensionale, si dhe nën-përfaqësimin e grave në tregun e punës. Andaj, duke synuar ndёrtimin e njё ekonomie tё qёndrueshme dhe gjithёpёrfshirёse, zbatimi i kёtyre masave do tё ketё njё rёndёsi kyçe nё formalizim dhe rritje ekonomike. 

Vlen tё theksohet se afati i aplikimit për Masën 1.1, 1.2 dhe 1.3 bёhet nё mёnyrё elektronike përmes platformës EDI tё ATK-sё dhe do të jetë i hapur deri më 15 Tetor 2021.

Mё tutje, nё zbatim tё Masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive, Qeveria ndau 10.43 milionё euro për subvencionimin e kredive investuese të bizneseve prodhuese e përpunuese. Kjo masë ka për synim rritjen e investimeve të reja në zgjerimin e kapaciteteve të bizneseve, e cila rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e punësimit dhe eksportit.  Gjithashtu, duhet cekur se këto mjete janë siguruar nga emetimi i “Bonove të Diasporës”, instrument financimi ky që ka pasur për qëllim kanalizimin e kapitalit të diasporës drejt investimeve për ndërtimin dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Pёrmes masёs 3 – Mbёshtetja e Familjes, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve synon krijimin e një shoqërie të barabartë dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve në vendin tonë. Pёr kёtё arsye, nё zbatim tё kёsaj mase janё ndarё mjete financiare në shumën prej 12 milionë euro për Masёn 3.1 – Mbështetja për familjet që kanë humbur familjarin, Masёn 3.4 – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë, dhe Masёn 3.5 – Pagesa për lehonat dhe shtesat për fëmijë. Përgjithësisht, Masa 3 paraqet një hap jetik në përpjektjet tona për zbutjen e varferisë, si dhe ndihmën ndaj familjeve që kanë humbur më të dashurit në luftën me virusin COVID-19.

Sё fundi, nё zbatim tё masёs 4.1 u ndanё 2.7 milionë euro si mbështetetje e stafit mjekësor në sektorin publik me pagë shtesë prej 10% të pagës së rregulltё bruto, jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor të vitit 2021. Zbatimi i kёsaj mase ёshtё tejet i rёndёsishёm nё vazhdёn e luftimit tё pandemisё, veçanёrisht tani kur vendi ёshtё nё fazёn e vaksinimit masiv.

Deri më tani, MFPT ka marrë vendime për operacionalizim dhe ndarjen e mjeteve financiare për një sërë masash nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, tё cilat nё mёnyrё tё drejtpёrdrejtё reflektojnё objektivat e Qeverisё sё Republikёs sё Kosovёs dhe Planit Qeverisёs 2021-2025. Së shpejti, MFPT do të vazhdojë me shpalojen e kritereve për operacionalizimin e masave të tjera të Pakos.

Për informata mё tё detajuara rreth Pakos sё Ringjalljes Ekonomike, ju lutem referohuni tek vegëza në vijim: https://mf.rks-gov.net/desk/inc/media/D3A6FA8F-6A6A-42AA-A090-52062568DC47.pdf