Qeveria në detyrë e Kosovës e ka miratuar buxhetin për vitin 2026 të premten, i cili kap një shifër rekorde prej rreth 4 miliardë euro, me gjithë pasigurinë se Kuvendi mund ta shqyrtojë miratimin e tij pas kundërshtimeve të shumta.
Partitë tjera shqiptare dhe shoqëria civile e kanë vënë menjëherë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimit, duke thënë se Qeveria në detyrë nuk mund dhe nuk ka kompetenca për të propozuar buxhet për miratim në Kuvendin e ri.
Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nguli këmbë gjatë miratimit të tij se Qeveria e tij në detyrë “mund të propozojë buxhetin vjetor para Kuvendit sikurse është e përcaktuar me ligj”, si dhe i bëri thirrje Kuvendit ta votojë.
Kurti tha se buxheti i ri parasheh rreth 1 miliard euro investime kapitale.
“Me këtë buxhet do të ketë pagë të 13-të për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Është përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë për 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune në sektorin publik”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti i ri është 10 për qind më i lartë sesa ai paraprak.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Qeveria në detyrë tha se paga mininale do të rritet nga 350 euro sa është aktualisht, në 500 euro. Rritja do të bëhet në dy faza.
Ndërsa duke nisur nga 1 nëntori i këtij viti, pensioni minimal do të rritet nga 120 në 150 euro, si dhe shtesat për të gjithë fëmijët nga 0-16 vjeç për 50 për qind, nga 20 në 30 euro.
Kurti ka thënë se nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 200.000 pensionistë dhe mbi 400.000 fëmijë do të përfitojnë nga këto rritje.
Qeveria në detyrë, po ashtu, i miratoi edhe buxhetet për vitin 2025 për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe atë të Zubin Potokut.
Këto komuna kanë funksionuar me buxhet të vitit 2024 deri tani, meqë janë vonuar në miratimin e buxhetit të ri në kohë.
Reagimet ndaj vendimeve të Qeverisë në detyrë
Dhjetëra organizata të shoqërisë civile në vend thanë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë për procedimin dhe miratimin e projektligjit për buxhetin bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Kosovës.
“Kjo për faktin se sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës”, thanë ato.
Menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë në detyrë, dy partitë më të mëdha parlamentare pas Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që ka 24 ulëse, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që ka 20 ulëse, e kanë kundërshtuar vendimin për buxhetin.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e akuzoi Kurtin se bëri “mashtrim elektoral”.
“Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha se vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2026 nga “një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet” është “akt i paprecedent politik dhe institucional”.
“Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor vetëm një javë para balotazhit të zgjedhjeve komunale dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha LDK-ja.
Balotazhi i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të zhvillohet në shumë komuna më 9 nëntor, ndërsa vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare qysh në dhjetor, nëse nuk arrihet marrëveshje për një qeveri të re.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [OVL-UÇK] e akuzoi Qeverinë në detyrë për diskriminim.
“Edhe në këtë tentativë për mashtrim të qytetarëve, ku u përmendën të gjitha kategoritë shoqërore, veteranët e luftës së UÇK-së u anashkaluan sërish qëllimisht”, tha kjo organizatë në Facebook, duke iu referuar vendimit për rritjen e pensionit bazë.
A mund të miratohet në Kuvend projektligji?
Nuk është e qartë, pasi Kosova ka Kuvend të ri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, por jo edhe qeveri të re.
Partitë nuk kanë shprehur gatishmëri për të bashkëqeverisur dhe kështu janë rritur shanset që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme qysh në dhjetor.
Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, dështoi të fitojë mbështetjen e partive parlamentare për formimin e grupeve dhe komisioneve parlamentare, në mënyrë që të thirret një seancë e jashtëzakonshme për çështjen e buxhetit për vitin 2026.
Çfarë thonë ekspertët?
Shumë ekspertë ligjorë vlerësojnë se Qeveria në detyrë nuk mund dhe nuk ka kompetenca për të propozuar buxhet për miratim në Kuvendin e ri të vendit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të hënën, eksperti i financave, Haki Shatri, tha se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë”, tha ai.
Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus tha se Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re.
“Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë. Rregullorja e Kuvendit parashikon që projektbuxheti të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare – komisione që ende nuk janë themeluar”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Ai tha se duhet të bëhet i qartë dallimi mes Qeverisë në dorëheqje dhe Qeverisë në detyrë, duke shpjeguar se Qeveria në dorëheqje është ajo që gjatë mandatit të saj, pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit, vazhdon të ushtrojë funksionet deri në formimin e qeverisë së re, duke pasur ende Kuvend funksional, komisione të themeluara dhe kanale komunikimi Qeveri–Kuvend.
Ndërsa, sipas tij, Qeveria në detyrë është qeveri e zgjedhur nga legjislatura paraprake, që nuk ka lidhje institucionale me legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet.
“Prandaj, sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria në dorëheqje mund të propozojë projektligjin për buxhetin, ndërsa kjo e drejtë nuk i njihet qeverisë në detyrë”, shtoi ai.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi theksoi se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin, e as Kuvendi nuk ka të drejtë ta votojë propozimin e buxhetit të kësaj Qeverie në detyrë.
“Qeveria në dorëheqje i referohet një qeverie që është zgjedhur nga një legjislaturë e caktuar, e që vazhdon punën deri në momentin e zgjedhjes së Qeverisë së re, dhe jo në rastet kur Qeverisë i ka përfunduar mandati. Në rastin konkret, Qeveria në detyrë nuk është zgjedhur nga kjo legjislaturë dhe nuk i takon asaj”, shkroi ai gjithashtu në Facebook. /Rel/