Qeveria vendos që kufizimi i qarkullimit të qytetarëve të jetë nga ora 17:00 deri në 06:00

Qeveria në detyrë e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së Corona virusit COVID-19, duke ndryshuar orarin e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, për të frenuar përhapjen e koronavirusit në Kosovë.

Në mbledhjen e mbajtur më 27 mars Qeveria ka miratuar vendimin për plotësim dhe ndryshim të vendimit të Qeverisë nr 01/15 i datës 23.03.2020.

“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00-06:00 përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”.

“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve në zonat (sheshet) e hapura të qyteteve të Republikës së Kosovës, përveç banorëve të këtyre zonave dhe personave të autorizuar nga organet përkatëse”.

Barnatoret e licencuara në Republikën e Kosovës ushtrojnë veprimtaritë e tyre prej orës 06:00-17:00. Pas orës 17:00 veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë. Barnatoret kujdestare do të përcaktohen nga Ministria e shëndetësisë/AKPPM  në koordinim me Odën e Farmacistëve të Kosovës (OFK) dhe komunat përkatëse/autoritetet komunale.

Shkelësit e këtyre masave të përcaktuara me këtë Vendim do të ndëshkohen sipas dispozitave ligjore në fuqi, thuhet në vendimin e Qeverisë.