Rekomandohet mbyllja e kufijve me vendet fqinje

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në mbledhjen e komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusit në Kosovë ka thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rekomanduar mbylljen e kufijve me vendet fqinje.

Sipas tij, IKSHP-ja thekson se akoma nuk ka vend për panik, por që ka kërkuar kujdes të shtuar.

“Duke pasur parasysh situatën epidemiologjike me COVID-19 ditëve të fundit dhe vlerësimin e OBSh-së që konsideron se situata epidemiologjike është me risk shumë të lartë në tërë botën, si dhe shpalljen e pandemisë nga ana e OBSh-së, propozon mbylljen e kufijve nga shtetet fqinjë. IKShP-ja dhe Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse të MSH-së bazuar në pikën e dytë të masave të Qeverisë të datës 11 mars e cila thotë: Pezullimi i përkohshëm i linjave ajrore dhe tokësore për në vendet me risk të lartë dhe të mesëm deri në një vendim tjetër japin rekomandim për ministrin e Shëndetësisë që të ndërmerren masa konkrete në këtë drejtim”, tha ai.

Më pas me rekomandim të kryeministrit Albin Kurti, mbledhja vazhdoi punimet me dyer të mbyllura.

“Meqenëse jemi të interesuar të dëgjojmë edhe përshtypjet tuaja, ndonëse mund të mos jenë fakte dhe për shkak se ato do të mund të reflektoheshin në keqinterpretime të ndryshme kërkoj që të ndërpritet transmetimi, kjo mbledhje të jetë e mbyllur. Të diskutojmë hapur për ato çfarë dimë e kemi dëgjuar dhe natyrisht vendimet që do t’i marrim do të jenë publike”, ka thënë Kurti.