Reuters: Zgjedhjet po afrohen, partitë refuzuan të qeverisin me Kurtin

Parlamenti i Kosovës dështoi të zgjedhë Albin Kurtin si kryeministër të dielën, duke i rritur gjasat që të shpallen zgjedhje të parakohshme për ta zgjidhur ngërçin politik që pasoi votimin e paqartë parlamentar të shkurtit.

Kurti, udhëheqësi i partisë Vetëvendosje, i cili aktualisht po shërben si kryeministër në detyrë, mori vetëm 56 vota në parlamentin me 120 ulëse – pesë më pak se shumica e nevojshme për të formuar qeverinë.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), votuan kundër kandidaturës së Kurtit.

Mbetet e paqartë nëse presidentja e vendit do t’i kërkojë partisë së dytë apo të tretë ta formojë qeverinë. Të dyja ato kanë thënë se mendojnë që duhet të mbahen zgjedhje të reja.

Partitë opozitare kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar mënyrën se si ai i ka trajtuar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj perëndimorë dhe veprimet e tij në veriun etnikisht të ndarë të Kosovës, ku jeton një pakicë serbe, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Kurti, një majtist dhe nacionalist shqiptar, erdhi në pushtet në vitin 2021, kur një koalicion i udhëhequr nga Vetëvendosje mori më shumë se 50% të votave dhe siguroi një shumicë prej shtatë ulësesh në parlament.

Reuters kujton në fund se Kosova, shteti më i ri i Europës, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, pas një fushate bombardimesh 78-ditore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999.