Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e plotë të 2,557 vendvotimeve në mbarë vendin.
Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, të publikuar në orën 07:40, deri më tani janë rinumëruar 687 vendvotime, ndërsa procesi po vazhdon me intensitet të shtuar. Gjatë rinumërimit po vërehen ndryshime në numrin e votave të kandidatëve për deputetë, ndërsa rezultatet për subjektet politike mbeten kryesisht të qëndrueshme, me lëvizje të vogla përqindore.
Të dhënat e përditësuara tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me 47.45 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 27.35 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e treta me 10.32 për qind të votave, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 3.51 për qind.
Nga KQZ është bërë e ditur se rinumërimi ka për qëllim garantimin e saktësisë, transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të publikohen pas përmbylljes së plotë të këtij procesi.
