Rishi Sunak merr të sot detyrën si kryeministër i Britanisë

Rishi Sunak pritet të emërohet si kryeministri i tretë i Britanisë së Madhe brenda një viti, pas takimit me mbretin Charles III, të martën.

Sunak u zgjodh të hënën si lider i partisë në pushtet, Partisë Konservatore, teksa ajo po përpiqet të stabilizojë ekonominë dhe popullaritetin e saj në rënie, pas mandatit të shkurtër të Liz Truss, raportoi Associated Press të martën.

Truss do të largohet pasi të bëjë një deklaratë të shkurtër publike jashtë “10 Downing St.”, shtatë javë pas ditës kur ajo u emërua kryeministre nga Mbretëresha Elizabeth II. Dy ditë më vonë, mbretëresha vdiq.

Tani djali i mbretëreshës, Charles III do të mbajë ceremoninë e pranimit të dorëheqjes së Trussit në Pallatin Buckingham, përpara se t’i kërkojë Sunakit ta formojë qeverinë.

Sunak, 42 vjeç, lideri më i ri britanik për më shumë se 200 vjet, duhet të përpiqet ta ngre një ekonomi që po rrëshqet drejt recesionit, ndërkohë që do t’i duhet të përpiqet ta bashkojë edhe një parti të demoralizuar dhe të ndarë që është shumë pas opozitës, sipas sondazheve të fundit të opinionit.

Prioritetet e tij kryesore do të jenë emërimi i ministrave të kabinetit dhe përgatitja për një deklaratë buxheti, që do të përcaktojë se si Qeveria planifikon të dalë me masa prej miliarda funtesh për të mbushur një vrimë fiskale të krijuar nga rritja e inflacionit dhe një ekonomi e ngadaltë, e përkeqësuar nga eksperimentet ekonomike destabilizuese të Trussit.