Ronaldo, Messi dhe të tjerët që do të luajnë në Botërorin e fundit

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë në mesin e disa lojtarëve që shpresojnë për një paraqitje të mirë përfundimtare në atë që ka të ngjarë të jetë paraqitja e tyre e fundit në Kupën e Botës. Përveç këtyre dyve, janë edhe Robert Lewandowski, Luis Suarez, Luka Modriq, Dani Alves, Manuel Neuer dhe Thomas Mueller. Pritja për Kupën e Botës së ardhshme në vitin 2026 në Amerikën e Veriut mund të jetë vetëm një hap shumë përpara për këta veteranë.

Cristiano Ronaldo (Portugalia)

Ndoshta është gjë e keqe për rivalët e Grupit H të Portugalisë, që 37-vjeçari Ronaldo ka duruar një sezon frustrues deri më tani te Manchester Unitedi dhe do të jetë i etur të tregojë se çfarë mund të bëjë në Katar. Ronaldo është tashmë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në futbollin ndërkombëtar me 117 gola dhe ka bërë një rekord portugez me 191 paraqitje. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka shënuar gola kudo që ka luajtur, qoftë në periudhën e tij të parë në United, në një periudhë plot trofe te Real Madridi apo në ndihmën e Juventusit për të fituar dy tituj të Serisë A përpara kthimit të tij në Premier League. Megjithatë, rikthimi i tij nuk ka shkuar ashtu siç do të kishte dashur deri më tani këtë sezon. Ronaldo ka qenë i kufizuar në vetëm një gol në nëntë paraqitje në kampionat.

Lionel Messi (Argjentina)

Shumë nga shpresat e Argjentinës janë të varura tek artisti i vogël nga Rosario. 35-vjeçari Messi e ka eklipsuar Ronaldon me shtatë trofe të “Topit të Artë”, të gjithë përveç të fundit që vijnë për lojën e tij të jashtëzakonshme gjatë kohës që ishte në Barcelonë. Tani me Paris Saint-Germainin të mbështetur nga Katari, Messi mungoi në listën e ngushtë me 30 lojtarë për çmimin e “Topit të Artë” për vitin 2022. Messi, megjithatë, ka rifituar formën e tij këtë sezon. Ai ishte afër fitimit të Kupës së Botës në vitin 2014 kur Argjentina arriti në finale, por deri më tani titulli i tij i vetëm i madh ndërkombëtar ka qenë “Copa America” në vitin 2021.

Robert Lewandowski (Polonia)

34-vjeçari Lewandowski ndoshta nuk mori kurrë atë që meritonte nën hijen e Messit dhe Ronaldos. Lewandowski në heshtje vazhdoi të shënonte gola për Borussia Dortmundin, pastaj Bayern Muenchenin, ku ai shënoi 312 gola në 384 paraqitje para kalimit të tij të fundit te Barcelona. Lewandowski është lideri i padiskutueshëm i Polonisë, kapiteni i ekipit dhe golashënuesi më i mirë me 76 gola në 134 paraqitje, përfshirë nëntë gola gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës. Lewandowski ende nuk ka shënuar në një Kupë Botërore. Në turneun e tij të vetëm të mëparshëm në Kupën e Botës 2018, Polonia u eliminua nga faza e grupeve.

Luis Suarez (Uruguai)

Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Uruguait me 134 gola, 35-vjeçari Suarez do të luajë në turneun e tij të katërt në Kupën e Botës. Ky do të jetë i pari i tij teksa luan me klubin e fëmijërisë Nacional, pas një karriere të historisë që nuk ishte pa polemika tek Ajaxi, Liverpooli, Barcelona dhe Atletico Madridi. Suarez u dërgua në shtëpi nga Kupa e Botës 2014 pasi kafshoi në shpatull mbrojtësin e Italisë, Giorgio Chiellini gjatë një ndeshjeje në grup. Suarez ndihmoi Atleticon të fitonte titullin e ligës spanjolle në sezonin e tij të parë me klubin në vitin 2021, duke qëndruar edhe një sezon përpara se të kthehej te Nacionali. Ai u mat me Ronaldon kur ata luanin respektivisht për Barcelonën dhe Real Madridin, dhe rivalët e vjetër janë planifikuar të takohen sërish kur Uruguai të luajë kundër Portugalisë në stadiumin “Lusail” më 28 nëntor.

Luka Modriq (Kroacia)

37-vjeçari Modriq është një nga ata lojtarët që duket se po përmirësohet me kalimin e moshës. Tani në sezonin e tij të dhjetë me Real Madridin, Modriq luajti një rol kyç në një dekadë suksesi për klubin spanjoll, duke fituar pesë trofe të Ligës së Kampionëve dhe tre tituj të ligës. Ai gjithashtu fitoi “Topin e Artë” në vitin 2018 në rastin e parë që nga viti 2007 që nuk u fitua nga Messi apo Ronaldo. Për Kroacinë, ai është po aq i rëndësishëm – kontrolluesi gjithëpërfshirës në mesfushë, forca shtytëse që e ndihmoi skuadrën të arrinte në finalen e Kupës së Botës në vitin 2018. Edhe pse Kroacia humbi nga Franca në atë finale katër vjet më parë, Modriqit iu dha ende “Topi i Artë” për lojtarin më të mirë të turnet. Ky do të jetë Botërori i tij i pestë.

Dani Alves (Brazili)

Një nga mbrojtësit e djathtë sulmues më të mirë që ka luajtur ndonjëherë këtë lojë, 39-vjeçari Alves është i vendosur të përfundojë karrierën e tij ndërkombëtare në nivele të larta, veçanërisht pasi humbi Kupën e fundit të Botës për shkak të një dëmtimi në gju. Alves ka luajtur vetëm në dy Kupa të Botës, në vitin 2010 dhe 2014. Ai u bë i njohur me vrapime të shpejta lart e poshtë në anën e djathtë të fushës në një periudhë të suksesshme te Sevilla, përpara se të transferohej në Barcelonë në 2008. Ai kaloi tetë vjet të mbushura me trofe në klubin katalonjas përpara se të kalonte te Juventusi dhe Paris Saint-Germaini, pastaj në Sao Paulo, përpara një rikthimi te Barcelona vitin e kaluar. Ai iu bashkua klubit meksikan Pumas këtë vit.

Manuel Neuer (Gjermania)

36-vjeçari Neuer është pa dyshim një nga portierët më të mirë që ka dalë nga Gjermania, një vend që është “llastuar” me talente në portë ndër vite si Oliver Kahn, Jens Lehman, Harald Schumacher dhe Sepp Maier. Pavarësisht fuqisë së rivalëve si Marc-Andre ter Stegen i Barcelonës ose Kevin Trapp i Eintracht Frankfurtit, Neuer e ka ruajtur statusin e tij të numrit një te Gjermania qëkur mori vendin në Kupën e Botës në vitin 2010. Kapiteni i Bayern Muenchenit u votua portieri i turneut kur Gjermania fitoi në vitin 2014. Turneu i këtij viti do të jetë Botërori i tij i katërt.

Thomas Mueller (Gjermania)

33-vjeçari Mueller shënoi pesë gola në Kupën e Botës 2010 dhe që atëherë ka qenë pothuajse gjithmonë i pranishëm për Gjermaninë dhe Bayern Muenchenin në fushë. Ai u largua shkurtimisht nga Joachim Loew në vitin 2019 në ndryshimin përfundimisht të pasuksesshëm të trajnerit të Gjermanisë pas paraqitjes së dobët të ekipit në Kupën e Botës 2018 si kampion në fuqi. Por, Mueller u rikthye për Kampionatin Evropian të vitit të kaluar dhe e ka vendosur veten si lider. Kur nuk shënon gola në mënyrën tipike, Mueller asiston ose mund të shihet duke inkurajuar shokët e tij të skuadrës dhe duke u dhënë këshilla lojtarëve më të rinj.