Rreth 90 aplikacione të rrejshme fshihen nga Play Store dhe App Store

Studiuesit nga ekipi i HUMAN’s, Satori Threat Intelligence, kanë zbuluar 75 aplikacione në Google Play dhe dhjetë të tjera në App Store të Apples që janë të përfshirë në mashtrime reklamash.

Studiuesit e kanë quajtur këtë fushatë të re të mashtrimit me reklama si “Scylla” dhe aplikacionet që janë pjesë e fushatës kanë një total prej 13 milionë instalimesh.

Aplikacionet e rreme kanë gjeneruar gjithashtu të ardhura duke imituar aplikacionet e rregullta.

Edhe pse ky lloj aplikacioni nuk konsiderohet një kërcënim serioz, Satori paralajmëron se ato mund të përdoren për aktivitete më të rrezikshme.

Analistët besojnë se Scylla është vala e tretë e operacionit, të cilin ata e vunë re për herë të parë në gusht 2019 dhe e quajtën “Poseidon”. Vala e dytë, e quajtur “Charybda”, kulmoi në fund të vitit 2020.

Ekipi Satori informoi Googlen dhe Applen për gjetjet e tyre dhe aplikacionet u hoqën nga dyqanet zyrtare.

Në pajisjet Android, nëse nuk e keni të çaktivizuar Play Protect, aplikacionet duhet të zbulohen automatikisht.

Kur bëhet fjalë për iOS, Satori rekomandon që përdoruesit të heqin vetë aplikacionet mashtruese. Loot the Castle, Run Bridge, Shinning Gun, Racing Legend 3D, Rope Runner, Wood Sculptor, Fire-Wall, Ninja Critical Hit, Tony Runs janë emrat e aplikacioneve që janë hequr nga dyqani i Apple.

Aplikacionet Android me më shumë se 1 milion shkarkime janë Super Hero-Save the World!, Spot 10 Differences, Find 5 Differences, Dinosaur Legend, One Line Drawing, Shoot Master dhe Talent Trap.