Rriten çmimet e disa produkteve bazike

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor 2022, sipas të cilit, ka pasur rritje të çmimeve për 0,3 për qind në muajin nëntor, në krahasim me muajin paraprak.

Sipas ASK-së, rritja është vërejtur te disa produkte si: energjia elektrike, qumështi, djathi, vezët, perimet, buka dhe mishi.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë, në një mesatare prej 0.3% në muajin nëntor 2022, krahasuar me muajin tetor 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: energji elektrike (4.0%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.2%); qumësht, djathë dhe vezë (2.1%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (1.5%); kafe, çaj dhe kakao (1.2%); perime (1.1%); bukë dhe drithëra (1.0%); mish (0.9%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.6 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërkaq, rënie e çmimeve gjatë nëntorit në krahasim me muajin tetor është vërejtur te pemët, veshjet, karburantet etj.

“Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin nëntor 2022 me muajin nëntor 2021 ishte 11.6%”, thuhet në njoftim.