Zëvëndësdrejtori i dorëhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore është vëllau i deputetit të Vetëvendosjes

Katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë shkarkuar dje nga Ministrja Albulena Haxhiu, pak orë pasi njoftoi për skandalin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit. Por lidhur me këtë skandal, dorëheqja e parë erdhi nga zëvendësdrejtori Naim Uka. I njëjti është vëllau i një deputetit të pushtetit

Naim Uka, që deri para pak orësh e mbante pozitën e zëvendësdrejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka dhënë dorëheqje.

Uka dha dorëheqje si akt moral pas skandalit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga institute ndonëse nuk dihet sakt koha kur ato nuk janë në vendin që do të duhej të ruheshin.

Ish-zv/drejtori Uka është vëllau i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, shkruan Gazeta Insajderi.

Dorëheqja e tij, erdhi një ditë pasi që ministrja Albulena Haxhiu shkarkoi katër zyrtarë të këtij insituti, lidhur me skandalin e zhdukes së mostrave të rastit të Astrit Deharit.

“Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Lidhur me këtë skandal Prokuroria Speciale ka nisur menjëherë hetimet.

Ndërkaq mbetet e paqartë se kur janë zhdukur këto mostra, pasi që sipas ministres Albulena Haxhiu hera e fundit kur janë kontrolluar këto mostra ka qenë tetori i vitit të kaluar.

Për zhdukjen e tyre drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë e kishte njoftuar ministren Haxhiu të mërkuren mbrëma pasi që gjatë ndërrimit të frigoriferëve e kishin vërejtur se mungojnë këto mostra.