Sunny Hill Festival

Rriten investimet e Shqipërisë në Kosovë, investitori i pestë më i madh

Investimet nga Shqipëria në Kosovë kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke arritur në 468 milionë Euro deri në fund të vitit 2024.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) tregojnë se ky është një rritje me 26% krahasuar me vitin 2023.

Falë këtij progresi, Shqipëria është ngjitur në vendin e pestë në listën e investitorëve më të mëdhenj në Kosovë, duke lënë pas shumë vende të tjera të rajonit dhe më gjerë. Kjo e bën Kosovën vendin ku shqiptarët investojnë më shumë jashtë kufijve shtetërorë.

Sipas strukturës së investimeve, sektori i ndërtimit përfiton pjesën më të madhe të kapitalit shqiptar, me rreth 13% të totalit. Pas tij vijnë pasuritë e paluajtshme me 8%, industria përpunuese me 7.7% dhe sektori i tregtisë me rreth 5%.

Megjithatë, për arsye konfidencialiteti, të dhënat për sektorët e financës dhe energjisë nuk janë bërë publike, edhe pse besohet se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të investimeve.

Analistët vlerësojnë se rritja e investimeve shqiptare është rezultat i disa faktorëve, përfshirë lehtësimin e lëvizjes mes dy vendeve, lidhjet kulturore dhe gjuhësore, si dhe një klimë biznesi gjithnjë e më e favorshme në Kosovë.

Po ashtu, bashkëpunimi institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës ka njohur intensifikim të ndjeshëm në dekadën e fundit.

Deri më sot, Shqipëria dhe Kosova kanë firmosur mbi 180 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, që nga ekonomia, energjia, transporti, arsimi, e deri te integrimi rajonal dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këto marrëveshje kanë ndihmuar në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm për rritjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të ndërsjellë.

Ekspertët presin që ky trend të vazhdojë edhe në vitet në vijim, me projekte të reja në infrastrukturë, energji dhe sektorë të tjerë strategjikë që do të forcojnë më tej lidhjet ekonomike mes dy vendeve.