Rritja e rasteve me koronavirus, nga nesër paralajmërohen masa të reja

Nesër do të mblidhet Komiteti për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth COVID-19 për të shqyrtuar propozimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë.

Siç njoftohet, Komiteti nesër do të shqyrtojë disa propozime që kanë të bëjnë me kufizime të mundshme apo reduktime të veprimtarive në sektorë të ndryshëm, rritje të përkujdesit në institucione publike e private, rritje të kujdesit për grup-mosha e kategori të caktuara dhe të tjera.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të zbatojnë me kujdes të shtuar masat në fuqi lidhur me kontrollin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19.

MSh kërkon nga prindërit që të mos i ekspozojnë fëmijët e tyre në rreziqe për shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme të paralajmëruara nëpër rrjete sociale si ato për Halloween, duke e ditur faktin se janë në fuqi vendimet që ndalojnë grumbullime të qytetarëve dhe organizime të ngjashme.

Me qëllim që të evitohet marrja e masave ekstreme kufizuese nga qytetarët, bizneset, dhe veprimtarit e tjera, Ministria e Shëndetësisë  kërkon që të zbatohen me përpikëri masat anti-Covid në fuqi, njofton Telegrafi.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nga 1608 mostrat e testuara sot, ka regjistruar 418 raste pozitive të virusit SARS COV-2, dhe katër viktima.