Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri, ka rrëfyer për dhimbjen e familjes së tij, e cila që nga 17 shtatori i vitit 1998 nuk ka informacion për fatin e babait të tij.
Në emisionin “Kosova Today”, Haziri tha se familja vazhdon të presë për zbardhjen e fatit të Xhavit Hazirit, ndërsa theksoi se vitet e pritjes kanë lënë gjurmë të thella te familja.
“Prej 17 shtatorit 1998, baba jem Xhaviti nuk është më në mesin tonë. Unë prej vitit 1998 deri më sot, në vitin 2026, unë dhe familja ime nuk dimë kurrgjë për fatin e tij. Normalisht, jemi njerëz që presim, kemi me prit deri në pafundësi”, u shpreh ai.
Haziri tha se tashmë edhe brezi i ri i familjes po rritet me këtë pritje.
“Ka filluar me mu zbardh mjekra, unë i kam dy fëmijë dhe ata po rriten me pritje. Jemi një familje dhe pjesë e një shoqërie që në vazhdimësi i kanë përjetuar padrejtësitë e mëdha”, deklaroi Haziri.
Ai foli edhe për protestat që ka organizuar në kundërshtim me vendimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haziri tregoi se më 15 shtator kishte organizuar një tubim në shesh, me shpresën se dita pasuese do të shënonte një moment të rëndësishëm për UÇK-në.
“Unë e kam organizuar më datën 15 shtator një natë në shesh, me shpresën që mëngjesi i 16 shtatorit ka me qenë një mëngjes i fitores së madhe të UÇK-së, ku bashkërisht kemi pasur mundësi me përcjell krejt në shesh”, tha ai.
Megjithatë, sipas tij, 16 shtatori ishte një ditë e rëndë.
“Fatkeqësisht, 16 shtatori qe një datë ku mendoj që filloi një rrugëtim i ri i Kosovës, qe një dënim i madh për Kosovën, për historinë tonë. Ajo gjykatë, e cila është ndërtuar mbi bazën e historisë, nuk gjykoi mbi bazën e provave e fakteve, por sipas meje gjykoi mbi bazën e diktimeve”, deklaroi Haziri.
Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Speciale e ka prekur drejtpërdrejt për shkak të historisë së familjes së tij.
“Ai mëngjes ishte i rëndë. Mua më bëri të dalë aty gjaku i babait. Mendoj që Gjykata Speciale ka shkelë në gjak të dëshmorëve”, u shpreh Haziri.