Safari bëhet shfletuesi i dytë në botë me mbi një miliard përdorues

Shfletuesi i Apple, Safari është bërë tani shfletuesi i dytë që ka mbi një miliardë përdorues – që do të thotë se e përdorin afro 20 për qind e përdoruesve të internetit në botë.

Këto shifra janë publikuar nga Atlas VPN, që ka kryer hulumtimin me qëllimin e identifikimit të shfletuesve që përdoren më së shumti në botë, transmeton Telegrafi.

Edhe pse Safari ka tejkaluar kufirin “magjik”, megjithatë nuk është as afër shfletuesit Google Chrome sa i përket shifrave.

Atlas VPN ka nxjerrë të dhënat nga GlobalStates dhe InternetWorld Stats, ku sipas shifrave të tyre Google Chrome ka mbi 3.3 miliardë përdorues në botë.

Kjo do të thotë që Chrome ka më shumë se 64 për qind të tregut të përgjithshëm të shfletuesve. Më pas renditen Safari, Microsoft Edge, Firefox dhe Samsung Internet.

Microsoft Edge e përdorin mbi 212 milionë përdorues – që është rreth 4 për qind e tregut. Firefox ka më 179 milionë përdorues dhe kështu ka 3 për qind të tregut.

Në rastin e Samsung Internet, ky shfletues ka gati 150 milionë përdorues apo 2.8 për qind të tregut.