Seancat po dështojnë, a ka mëditje për deputetët?

Për herë të parë u mblodhën në Kuvendin e Kosovës me 15 prill.

Janë këta të zgjedhurit e popullit, që e fituan një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit.

E pavarësisht që dolën në punë nga kjo ditë, nuk filloi t’u ec edhe rroga 120 deputetëve të legjislaturës së ardhshme.

Kjo meqë kjo seancë dështoi.

E pas katër ditëve, u mblodhën në tentimin e tretë.

Këtu edhe u betuan si deputetë.

Pas kësaj, për konstituimin e institucionit legjislativ, dështuan edhe katër seanca të tjera.

E sipas zyrës për media në Kuvendin e Kosovës, deputetët nuk marrin më mëditje për pjesëmarrje në seanca.

“Deputetët nuk marrin mëditje për pjesëmarrje në seanca. Pagat e deputetëve llogariten nga dita e betimit të tyre. Për shkak që betimi është bërë më 19 prill, pagat e këtij muaji do të procedohen me pagën e muajit maj”, thuhet nga Kuvendi i Kosovës për Tëvë1.

Heqja e mëditjeve, u bë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për zyrtarët publik në vitin 2023.

Por, Kuvendi i Kosovës në po këtë vit, miratoi një rregullore për shtesat mbi pagën bazë për deputetët.

“Ngritja e pagës ka ndodhur me rregulloren e Kuvendit, ku me këtë rregullore janë përcaktuar përqindje të pagës për funksionimin e tyre qoftë si kryetar po nënkryetar të Kuvendit, apo grupeve të përhershme të Kuvendit apo komisioneve funksionale. Pra me nenin 3 të rregullores përcaktohet niveli i përqindjes për secilin pozicion shtesë që deputeti e ka përveç pozitës së deputeti. Pra për çdo pozicion shtesë merr përqindje të rritur”, ka thënë avokati, Yll Zekaj.

Ndryshe, deputetët do të kthehen të martën nga ora 10:00, në tentimin e tetë për konstituimin e Kuvendit.