Selmani: Pakënaqësi e madhe te punëtorët shëndetësorë që nuk kanë marrë pagesën shtesë

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Xhemajl Selmani ka thënë se në shtesat duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e punonjësve shëndetësorë.

Selmani në RTV Dukagjini ka thënë se qeveria ka vendosur të shpërblejë vetëm ata që kanë qenë të angazhuar në klinikat ku është punuar me pacientë të prekur me koronavirus.

Ai thotë se Ligji i Pagave do të zgjidhte këto probleme të grumbulluara që nga paslufta.

“Këto probleme duhet të zgjidhen patjetër. Ky mund i punëtorëve duhet të paguhet. Pakënaqësia lidhur me këto çështje është shumë e madhe”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Selmani thotë se punëtorët shëndetësorë mund të marrin edhe veprime radikale e që sipas tij nuk do të ishin në të mirë të personave të prekur me coronavirus.

“Komuniteti shëndetësorë është lodhur me këto premtime. Ne jemi më të keq paguarit në sektorin publik. Ne sot rrezikun që e kemi në klinikat tona po e bartim në shtëpitë tona. Mbi një mijë punonjës shëndetësorë përfshirë edhe stafin përcjellës kemi punëtorë të infektuar”, tha ndër të tjera Xhemajl Selmani.