Shenjat që telefoni i juaj mund të jetë hakuar

Ekspertët kibernetikë kanë treguar katër shenja që mund të nënkuptojnë se telefoni i juaj është infektuar nga “malware” të rrezikshme.

Kriminelët kibernetikë gjithmonë po bëhen më të sofistikuar, dhe tentimet për të hakuar mund të jenë të vështira për t’u vërejtur, raporton “The Sun”.

Por, nëse nuk vëreni se iPhone apo Androidi juaj është komprometuar, atëherë mund të jeni në rrezik serioz.

Hakerët mund ta përdorin “malwaren” për t’ju vjedhur informatat e t’i shesin ato apo për t’u mashtruar ju. E disa sulme të sofistikuara mund t’ua zbrazin menjëherë llogarinë bankare.

Ekspertja kibernetike e McAfeet, Natalie Maxfield, ka treguar katër shenja që mund të nënkuptojnë se telefoni i juaj është komprometuar.

Telefonatat misterioze apo shfaqja e aplikacioneve të reja

Një nga shenjat paralajmëruese të cilat duhet t’i shikoni, janë telefonatat dalëse në regjistrin tuaj, për të shikuar nëse është ndonjë që nuk e keni bërë.

Por, çdo gjë që shfaqet në telefonin tuaj dhe që nuk ju duket e njohur, është arsye për shqetësim.

“Një shenjë e mundshme që tregon se telefoni i juaj mund të jetë hakuar, është shfaqja e aplikacioneve të reja që nuk i keni shkarkuar. Po ashtu, nëse shihni telefonata në regjistrin tuaj të cilat nuk i keni bërë, atëherë është shenjë paralajmëruese”, ka thënë Natalie.

Paraqitja e papritur e popup-ave

Duhet po ashtu të keni kujdes nga paraqitja e pop-upave (dritareve kërcyese) në telefonin tuaj.

“Nëse po shihni më tepër reklama pop-up sesa që shihni zakonisht, atëherë mund të jetë shenjë që telefoni i juaj është goditur nga një ‘adware’”, ka thënë ekspertja Natalie. “Një lloj aplikacioni dëmtues që hakerët e përdorin për të arkëtuar të hyra është shpërndarja e reklamave pa pëlqimin e përdoruesve”.

Këto popup-a jo vetëm që janë të bezdisshme, por mund të jenë të rrezikshme.

Si shembull, mund t’ju çojnë tek uebfaqet e rrezikshme që mund të vjedhin informata apo para apo të instalojnë “malware”.

Tarifa të panjohura në faturën tuaj të telefonit

Gjithashtu një shenjë paralajmëruese është nëse po ju mbarojnë gigabajtët e internetit, por nuk mund ta shpjegoni pse.

Mund të vëreni edhe tarifa të panjohura në faturën tuaj të telefonit.

Ekspertja kibernetike Natalie e quan këtë “paralajmërim të madh”.

“Kjo është një shenjë e mundshme që një haker është futur në telefonin tuaj dhe po e përdor atë për të transferuar të dhëna, për të bërë blerje, për të dërguar mesazhe apo për të bërë thirrje përmes telefonit tuaj”, thotë Natalie.

Aktivitete të dyshimta

Më në fund, shikoni nëse keni probleme me ndonjë nga llogaritë tuaja në internet.

Nëse dikush ju hakon telefonin, ai mund të jetë në gjendje të vjedhë informatat tuaja për të hyrë në llogaritë tuaja.

Pra, nëse vëreni ndryshime të dyshimta në disa llogari tuaja, atëherë arsyeja mund të jetë se pajisja juaj është komprometuar.

Nëse mendoni se telefoni i juaj është hakuar, atëherë merrni parasysh fshirjen e aplikacionit të fundit që keni shkarkuar e që ju duket i dyshimtë. Nëse nuk mund t’i zgjidhin problemet, atëherë provoni ta formatizoni telefonin.

Siguroni që t’i ndryshoni fjalëkalimet e llogarisë suaj në një pajisje tjetër që mendoni se është e sigurt.