“Definitivisht nuk do të ketë dialog” – Kurti i prerë në raporto me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nëse Serbisë nuk i vihen sanksione për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, “nuk do të ketë dialog”.

“Nëse nuk ka sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, nuk do të ketë dialog”, ka thënë Kurti në një intervistë për “Financial Times”, transmeton Gazeta Stop. “Do të përfundojmë në menaxhim të dështuar të krizave dhe do të harrojmë fare për normalizim”.

Siç shkruan Financial Times, liderët e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen të enjten në Bruksel, për herën e parë qëkur paramilitarë serbë sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Financial Times” ka thënë se, sipas Kurtit, Perëndimi duhet t’i shuajë shpresat për rikthim të bisedimeve në rrugë të duhur, nëse “nuk e sanksionon” Serbinë.

Në këtë intervistë, Kurti ka akuzuar sulmuesit e Banjskës se kanë tentuar të nisin një luftë të re për të aneksuar Veriun e Kosovës. Ai ka përsëritur se pas sulmit të 24 shtatorit “gjithçka ka ndryshuar”.

Kurti i ka kërkuar emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, që të mos e konsiderojë Serbinë si një “ari që duhet t’i hidhen qengja për ta kënaqur”. “Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë”.

Kurti ka deklaruar se e mirëpret vendimin e NATO-s që të shtojë trupat në Kosovë. Megjithatë, ka thënë se misioni i KFOR-it duhet të mbetet vetëm për siguri dhe mbrojtje.

“Ata janë të nevojshëm për sigurinë dhe mbrojtjen. Dhe duhet të mbetet kështu. Nuk duhet ta bëjmë KFOR-in reagues të parë”, ka thënë Kurti.