Shfuqizohet Vendimi për ndalimin e eksportit dhe rieksportit të produkteve agro-ushqimore

Me propozim të Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot në mbledhjen e 96-të të Qeverisë së Republikës të Kosovës u shfuqizua Vendimi nr. 09/69 për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe rieksportit të produkteve themelore agro-ushqimore, i datës 13.04.2022.

Propozimi Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për shfuqizimin e këtij vendimi ka ardhur si rezultat i të dhënave të rregullta në baza ditore nga institucionet relevante siç janë Dogana e Kosovës dhe Inspektorati i Tregut. Në bazë të këtyre evidencave dëshmohet se në tregun e Kosovës po importohen vazhdimisht produkte esenciale ushqimore dhe se nuk ka ngecje në furnizim, konkretisht të produkteve themelore agro-ushqimore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me masat dhe veprimet e ndërmarra, është e përkushtuar të mbështesë sektorin privat përmes avancimit të politikave, përmirësimit të legjislacionit dhe instrumenteve mbështetëse, me qëllim të rritjes së konkurreshmërisë dhe stabilitetit ekonomik të prodhuesve vendorë.