S’ka paga për grevistët


Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten pakon për përballje me inflacionin, të prezantuar javë më parë. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar pikat që përfshihen në këtë pako duke paralajmëruar se pagat janë procesuar, por për ata që kanë punuar me orar të plotë. Grevistëve deri tash ende nuk u janë ndarë mjetet për muajin shtator.

Në prezantim të pikave, Murati ka thënë po ashtu se shtesa e shumëpërfolur prej 50 eurosh në muaj, nuk do të dalë me këtë pagë, por në tetor në formë retroaktive.

“Të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar me orar të plotë gjatë muajit dhe që marrin pagën bazë primare deri në 1000 euro e që kualifikohen për përfitim mbështeten me shtesën prej 50 euro nga muaji shtator deri në fund të vitit. Me qenë se vendimi po merret tani dhe pagat tashmë janë procesuar, shtesa për shtator do të aplikohet bashkë me shtesën e muajit tetor”, ka thënë ai në prezantimin e pikës për shtesa çdo muaj deri në fund të vitit për punëtorët e sektorit publik.

Megjithatë, mësimdhënësit e punëtorë të tjerë në sektorin e arsimit i kanë thënë KOHËS se ende nuk u kanë dalë pagat. Me ligj shtetit i mundësohet që ekzekutimin e pagave ta bëjë deri më datën 5 të muajit.

Pakoja në vlerë rreth 150 milionë euro parasheh edhe subvencionimin e faturave të energjisë për ata që kursejnë në raport me muajt e vitit të shkuar dhe dyfishim të pensioneve për muajin tetor.

Që nga 25 gushti një pjesë e sektorit publik është në grevë. Zhurma më e madhe është bërë për grevën në arsim. Sindikatat po kërkojnë nga 100 euro shtesa në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Mësimi, i paraparë të niste më 1 shtator, ende nuk ka filluar. Sindikata e Arsimit tashmë është në votim brenda anëtarësisë nëse duhet që greva të pezullohet deri në janar apo jo. Vendimi pritet të publikohet të shtunën.