Sot varroset polici Afrim Bunjaku

Të dielën e 24 shtatorit reshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, kurse polici Alban Rashiti u plagos, si pasojë e një sulmi terrorist që u bë ndaj tyre nga një grup i armatosur në pjesën veriore të vendit.

Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Gjatë tërë ditës së diel në këtë zonë pati shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur serb.

Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Policia e Kosovës zbuloi edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se gjashtë personat e arrestuar, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Presidentja ka shpallur të hënë ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.