Spanja e “shkatrron” Kosta-Rikën, 7 gola në ndeshjen e parë


Spanja e ka nisur furishëm Kupën e Botës, pasi në ndeshjen e parë të grupit ka shënuar fitore bindëse. Të mërkurën, Spanja triumfoi ndaj Kostarikës me shifrat 7:0 në kuadër të Grupit E. Ekipi i trajnerit Luis Enrique ka shkëlqyer në këtë përballje duke dominuar tërësisht ndaj Kostarikës, që nuk pati ndonjë rast shënimi.

Kjo njëherit është edhe fitorja më e thellë deri më tani në turneun e Katarit. Në fakt, Spanja i dha fund çështjes së fituesit qysh në pjesën e parë kur shënoi tri gola. Në minutën e 12-të, Dani Olmo zhbllokoi rezultatin pas asistimit të Gavit. Golin e dytë për Spanjën, e shënoi Marco Asensio në minutën e 21-të pas harkimit të Jordi Albas.

Ndërsa, dhjetë minuta më vonë, u shënua edhe goli i tretë. Këtë herë, realizoi Ferran Torres nga penalltia, të cilën e fitoi Alba. Në pjesën e dytë, Spanja shënoi edhe tri gola tjerë për ta konfirmuar paraqitjen fantastike dhe fitoren bindëse ndaj Kostarikës.

Rezultatin në 4:0, e ngriti Torres me golin e tij të dytë personal në minutën e 54-të. Golin e pestë e shënoi Gavi në minutën e 74-të pas asistimit të Alvaro Moratas. Në minutën e 90-të Carlos Soler shënoi për 6:0, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Morata. Ai shënoi në minutën e dytë të kohës shtesë nga afërsia pas asistimit të Olmos.