KGJK: Pezullohet bashkëpunimi me Qeverinë, vendimi për paga të anulohet

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka vendosur që të reduktojë shërbimet në gjykata dhe të pezullojë çdo bashkëpunim apo aktivitet ku prezentë janë përfaqësues të Qeverisë, për shkak të vendimit të fundit për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, raporton EO.

Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj në një konferencë për medie, se këshilli ka qenë i detyruar të ndërmarrë këto vendime, ndërkohë ka paralajmëruar të tjera masa nëse Qeveria nuk e tërheq vendimin për pagat.

Zogaj theksoi se KGJK-ja dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e çdo organizimi ku janë pjesëmarrës përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovë.

“KGJK dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e çdo organizimi apo ku janë pjesëmarrës përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovë. Nëse nuk e anulon vendimin, KGJK do të vendosë më 8 dhjetor për masat e tjera”, tha Zogaj.

“Disa arsye për këtë vendim qëndron se vendimi i Qeveris për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe me parimet ndërkombëtare. KGJK ka qenë i detyruar të marrë këtë vendim. I bëjmë thirrje Qeverisë që të reflektojë sepse vendimi i sotëm i Qeverisë është në kundërshtim me të gjitha aktet”, ka thënë Zogaj.