Sveçla: Dejan Jankoviq është dërguar në paraburgim për 48 orë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në bazë të informacioneve që kanë autoritetet, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është dërguar në paraburgim prej 48 orësh nga autoritetet serbe.

Jankoviq, që u ndalua më 17 prill në pikëkalimin kufitar të Jarinjës – që lidh Kosovën dhe Serbinë – sipas Sveçlës, po akuzohet për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

Gjatë një konference për media, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Sveçla tha se një ditë më parë “së paku 1.498 qytetarë janë ndaluar, maltretuar, e disa arrestuar e marrë në pyetje lidhur me të kaluarën e tyre, lidhjet e tyre me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyre në UÇK apo të familjarëve të tyre si dhe vendndodhjes apo veprimtarisë së tyre më 1998-99”.

Sveçla bëri thirrje për lirimin e Jankoviqit, por edhe të qytetarë të tjerë, “pasi që sipas informacione të tjera, ka edhe qytetarë që po mbahen të arrestuar”.

Ministri i Brendshëm tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është duke u interesuar për shëndetin e Jankoviqit dhe që t’i ofrohet mbrojtja e duhur ligjore.

Gjatë konferencës, Kurti u pyet nëse Serbia duhet të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar për këto veprime.

“Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë, dhe unë uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme, të brendshme të saj, që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqesë një etapë të re, në të cilët do të kuptohet se Kosova është shteti demokratik, Kosova është në të drejtën, që respekton lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Ndërkaq, Serbia praktikisht është shtet mafioz”, tha Kurti.

Ndërkaq, më herët gjatë 18 prillit Kurti tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë, Jankoviq.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

“Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.

Më 17 prill, autoritetet në Kosovë bënë të ditur se dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës – shqiptarë dhe serbë – ishin ndaluar nga autoritetet serbe. Pesë prej tyre u liruan po atë ditë.

Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë bëri të ditur se pesë policët, ishin dërguar në Rashkë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmoi për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se katër policë të Kosovës u ndaluan të mërkurën gjatë kontrolleve kufitare, duke thënë se njëri prej tyre është zëvendësdrejtor i policisë.

Sipas MPB-së serbe, ndalimi i tyre në pikëkalimet kufitare u bë gjatë kontrolleve të sigurisë.

Nga ky institucion nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me ndalimin e policëve të Kosovës.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, e pyetur nga REL-i për arrestimin e policëve të Kosovës, tha se nuk ka më informacione.

“Por, unë mund t’i lavdëroj anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, mund të them se ata po e bëjnë punën e tyre”, tha Bërnabiq.

Ajo shtoi se supozoi “që njerëzit më në fund iu përgjigjën thirrjeve” për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë.

“Pres lëvdata nga bashkësia ndërkombëtare për anëtarët tanë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe për prokurorinë tonë dhe të gjitha institucionet përkatëse”, tha Bërnabiq.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti tha po ashtu se Serbia ndaloi dhe “keqtrajtoi” për më shumë se 20 orë, qindra qytetarë të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi me autobusë.