Tahiri: Për mafinë e shëndetësisë, kjo pritje tremuajshe ia paska vlejtur

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar riemërimin e Arben Vitisë në postin e ministrit të Shëndetësisë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se edhe për një kohë, nuk do të ketë ditë të mira për Shëndetësinë, porse ka shtuar se “për mafinë e shëndetësisë, me gjasë ky durim prej tre muajsh ia paska vlejtur”.

“Pas afër tre muaj pritjesh për të reflektuar përballë degradimit të shëndetësisë, degradim që u manifestua edhe tragjikisht, kryeministri Kurti paska vendosur që ta rikthejë në krye të shëndetësisë një ish ministër, i cili, mbahet mend veç për një gjë: strehimin pas videove me mesazhe durimi, kur pandemia rrezikonte jetën e qytetarëve. Ditë të mira për shëndetësinë siç duket, nuk do të ketë edhe për një kohë. A për mafinë e shëndetësisë, me gjasë ky durim prej tre muajsh ia paska vlejtur”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Arben Vitinë në postin e ministrit të Shëndetësisë.