Të hënën nis regjistrimi i deputetëve të Kuvendit

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do t’i nënshtrohen procesit të regjistrimit duke filluar nga e hëna, në kuadër të përgatitjeve për konstituimin e legjislaturës së re.

Procesi i regjistrimit do të zgjasë tri ditë, gjatë të cilave të 120 deputetët do të kryejnë procedurat administrative të nevojshme për marrjen e mandatit parlamentar.

Ky është një nga hapat proceduralë që i paraprin seancës konstituive të Kuvendit, në të cilën deputetët pritet të bëjnë betimin dhe të nisin procedurat për zgjedhjen e organeve drejtuese të institucionit.

Konstituimi i Kuvendit do t’i hapë rrugë edhe fazave të tjera të krijimit të institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe procedurat për formimin e Qeverisë së re.