Tre persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohen se kanë tentuar të shesin me dokumente të falsifikuara një parcelë prej rreth dy hektarësh në Sllatinë të Fushë Kosovës, me vlerë mbi 1.55 milion euro.
Sipas Policisë, hetimet e zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë zbuluar se të dyshuarit kishin falsifikuar dokumente identifikimi të Serbisë në emër të pronarit të ligjshëm të pronës dhe, duke u paraqitur si ai, tentuan ta tjetërsonin parcelën përmes një noteri.
Autoritetet thonë se të dyshuarit kishin planifikuar ta shisnin të njëjtën pronë te disa blerës të ndryshëm, duke synuar të përfitonin rreth 1.55 milion euro përmes mashtrimit.
Veprimet hetimore janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa provat e siguruara kanë ngritur dyshime për kryerjen e veprave penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.