Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ngre një shqetësim që prek punëtorët, prodhuesit vendor dhe gjithë ekonominë e vendit.
Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të më hershëm absurd dhe të dëmshëm duke mbyllur kompaninë “Kosova Thëngjill”, duke lënë 170 punëtorë pa punë dhe duke ndaluar shitjen e thëngjillit nga miniera e Obiliqit. Ky veprim është një goditje e rëndë për industrinë prodhuese vendore.
Ndërkohë që Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit, të cilat po mbesin nën tokë pa u shfrytëzuar, prodhuesit tanë detyrohen të importojnë thëngjill nga jashtë me çmime shumë më të larta. Vetëm në vitin 2024, biznest ka shpenzuar rreth 6 milionë euro për import të thëngjillit – para që kanë ikur jashtë Kosovës, në vend se të mbështesnin punësimin, prodhimin dhe zhvillimin vendor.
AKB i drejton pyetje publike qeverisë:
Pse ndalohet shitja e thëngjillit vendor, kur prodhuesit kanë nevojë urgjente për të?
Pse u mbyll kompania “Kosova Thëngjill” dhe u dëmtuan punëtorët e saj, ndërkohë që shtetet fqinje si Maqedonia e Serbia janë të gatshme të blejnë thëngjillin e Kosovës?
Pse po varfërohet vendi duke paguar miliona për import, ndërsa kemi pasuri të pashfrytëzuara nëntokësore?
Pse nuk shfrytëzohet thëngjilli tani, kur dihet se pas vitit 2033, sipas direktivave të BE-së, ai do të ndalohet në gjithë Evropën, përfshirë edhe Kosovën?
Koha për ta shfrytëzuar është sot, jo nesër!
Kërkesat e AKB-së:
- Rihapja e menjëhershme e kompanisë “Kosova Thëngjill” dhe kthimi në punë i 170 punëtorëve.
- Lejimi i shitjes së thëngjillit vendor për prodhuesit e Kosovës, duke mos favorizuar importin.
- Një plan emergjent për shfrytëzimin e rezervave deri në vitin 2033.
- Dialog të hapur mes qeverisë dhe sektorit privat, si gjenerator i punësimit dhe zhvillimit ekonomik.
Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se Kosova nuk ka luksin të lërë thëngjillin të kalbet nën tokë, ndërkohë që paguan miliona euro për import.
Në fund, Agim Shahini, kryetar i AKB-së, theksoi se ky vendim është i papranueshëm dhe i dëmshëm për punëtorët, prodhuesit dhe ekonominë e vendit.
