Tre të vdekur nga zjarri në një banesë në Malishevë, viktima edhe dy fëmijë

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në Malishevë.

Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila bëri të ditur se viktimat janë një person i rritur dhe dy fëmijë, të gjithë të gjinisë mashkullore.

Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:55 në lagjen “Mirëdita”. Pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj, ka deklaruar se viktimat janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku është konstatuar se nuk kishin shenja jete.

“Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente. Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete,” tha ai.

Policia bëri të ditur se zjarri është lokalizuar dhe nuk janë raportuar pasoja të tjera materiale apo në njerëz.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike.