Xhavit Haliti

U.D. Kryeshefi i KOSTT-it diskuton sigurinë e infrastrukturës energjetike me Drejtorin e AKI-së

U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Shaban Neziri, ka pritur sot në takim Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për rëndësinë strategjike të sektorit energjetik, infrastrukturën kritike të KOSTT-it, planet zhvillimore, si dhe çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik.

Në kuadër të vizitës, përfaqësuesit e AKI-së janë njoftuar nga afër me rolin dhe përgjegjësitë e KOSTT-it në sigurimin e stabilitetit dhe besueshmërisë së rrjetit elektroenergjetik, përfshirë masat dhe kapacitetet mbrojtëse që kontribuojnë në funksionimin e pandërprerë të infrastrukturës vitale.

Takimi është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit institucional për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve potenciale që mund të cenojnë sigurinë e Kosovës, me fokus të veçantë te kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë rreziqet e sabotimit dhe cenimet e sigurisë.

KOSTT ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet thelbësor për shkëmbimin e informatave, koordinimin e masave parandaluese dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të infrastrukturës kritike energjetike, duke siguruar një reagim të koordinuar dhe rritje të qëndrueshmërisë përballë sfidave të sigurisë.

Në fund, KOSTT e ka vlerësuar lart vizitën e Drejtorit të AKI-së si dëshmi të angazhimit të përbashkët institucional për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës energjetike në Republikën e Kosovës.