Uji dhe hurmat, magjia e Ramazanit

Nutricionisti Nderim Rexhepi ka folur për ndryshimet që ndodhin në organizëm gjatë agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Në emisionin Ora Shtatë, ai theksoi se një nga proceset e para që aktivizohet gjatë agjërimit është vetëpastrimi i organizmit në nivel qelizor, i njohur si procesi i eliminimit të qelizave të dëmtuara apo të vdekura. Sipas tij, ky mekanizëm është shumë i dobishëm për shëndetin, pasi ndihmon në rigjenerimin e trupit.

Rexhepi shtoi se gjatë periudhës së agjërimit, organizmi fillon të përdorë rezervat energjetike, duke përfshirë edhe shkrirjen e masës dhjamore, çka mund të ndikojë në rënien e peshës trupore.

Sa i përket ushqimit në syfyr, ai theksoi se metabolizmi ndryshon nga personi në person. Për disa, ushqimi mund të tretet dhe “harxhohet” më shpejt, ndërsa për të tjerë më ngadalë, varësisht nga niveli i aktivitetit fizik dhe mënyra e jetesës.

Në fund, nutricionisti theksoi rëndësinë e zgjedhjes së ushqimeve të duhura gjatë Ramazanit. Sipas tij, hurmat janë ndër ushqimet më të mira për iftar, ndërsa çelësi kryesor për një agjërim të shëndetshëm mbetet hidratimi i mjaftueshëm gjatë orëve kur lejohet konsumimi i lëngjeve.