Ushqimet më të mira për shëndetin e zorrëve

Ekspertja e ushqimeve, Alayna Hutchinson, ka rekomanduar disa ushqime që duhet konsumuar në mënyrë që zorrët të qëndrojnë sa më të shëndetshme, raporton “Daily Mail”.

Në rëndin e parë Alayna e ka renditur supën me eshtra. Kjo supë është e pasur me shumë kolagjen dhe aminoacide, që janë ideale për të mbështetur shëndetin e mirë të zorrëve.

Kjo supë gjithashtu rrit numrin e baktereve të shëndetshme që janë të nevojshme për zorrët.

E dyta në listë është shega, sipas Alaynas. Kjo frutë është shumë e pasur me polifenole dhe antioksidant që rrisin nivelin e probiotikëve. Konsiderohet se është shumë e mirë kundër infeksioneve të ndryshme që mund të ndodhin në zorrë.

Alayna tregon se shega është “mjet” i fuqishëm kundër infeksioneve.

Shega mund të veprojë si antioksidant i fuqishëm edhe kundër sëmundjeve serioze si kanceri e sëmundjet e ndryshme të zemrës, diabeti, etj.

E treta në listën e ekspertes së ushqimeve, Alayna Hutchinson, është fasulja e zezë.

Kjo fasule përmban sasi të madhe të fibrave e që ndihmon që ushqimi të tretet sa më mirë e të depërtojë më lehtë nëpër vende përkatëse në trup.

Rukolla qëndron në vendin e katërt në listë.

Ajo përmban një lloj komponimi të ithët që stimulon prodhimin e lëngut të tëmthit, që ndihmon yndyrat të treten më mirë.

Alayna Hutchinson rekomandon të përdoret rukolla më shpesh.

E në vend të pestë në listën e saj janë midhjet. Përveç që kanë veti ushqyese të ndryshme, ato po konsiderohen shumë të mira për shëndetin e zorrëve, pasi janë të pasura me minerale si zinku, i cili luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen e zorrëve.

Midhjet janë të pasura edhe me natrium e kalium, komponime këto që bashkë me zinkun stimulojnë prodhimin e acidit në stomak.

Ajo ka bërë të ditur se shëndeti i zorrëve ndikon në energjinë trupore dhe gjendjen e lëkurës, prandaj është me rëndësi që një person të konsumojë sa më shumë ushqime që janë të mira për zorrët.