Veseli: PDK mbështet idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë sot se Qeveria ka dështuar në marrjen e masave adekuate dhe në menaxhimin e situatës pas hapjes së pandemisë me koronavirus.

Sipas tij, neglizhenca e Qeverisë për të testuar qytetarët që kanë hyrë në Kosovë nga vendet e prekura me koronavirus, do të rrisë edhe më shumë numrin e të prekurve dhe siç tha ai, qeveria nuk e ka idenë e menaxhimit me këtë situatë të jashtëzakonshme.

Lideri i PDK-së kërkoi që të suspendohen për së paku tre muaj të gjitha kreditë e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë.

Ai tha se Qeveria duhet të dalë urgjent me pako stimuluese për bizneset që mos të lejoj kolapsim të sistemit.

Kreu i opozitës tha se gjendja në Kosovë tanimë është e jashtëzakonshme dhe PDK do ta mbështesë formalizimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Mjafton të shohësh fshatrat e qytetet tona, mbylljen e shkollave, ndaljen e prodhimit, mbylljen e veprimtarive të shërbimit dhe shumicën aktiviteteve tjera socio ekonomike. Por, ajo që na obligon të gjithë ne në këtë situatë është veprimi ynë që sa më shpejtë ta ndihmojmë vendin që ti kthehet normalitetit. Kjo është përgjegjesi në rend të parë e Qeverisë, pastaj e gjithë neve. Ne e dimë që dëmi akut është shëndetesor, por dhe socio-ekonomik”, theksoi Veseli.

Sipas tij, meqenëse në Kosovë numri i të prekurve me Virusin COVID-19 po rritet, masat ekstreme janë të domosdoshme.

“Jemi në një situatë kur banorët e Vitisë, Klinës dhe të Malishevës janë të izoluar brenda qyteteve të tyre, përderisa edhe ne Podujeve dhe kryeqendrën tone kemi te prekur, por kujdesi për këto komuna nuk është ai i duhuri dhe mbështetja nuk është e mjaftueshme. Rrjedhimisht, përballimi i tyre me këtë gjendje është i vështirë”.

“Është në dorën e deputetëve që të vendosin për ta kaluar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Por, edhe vetëm një jetë nëse shpëtohet, ia vlen një vendim të tillë. Prandaj, PDK mbështet idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin”, ka lideri i opozitës Kadri Veseli.

Masat sipas tij, që Qeveria i ka marrë deri më tash karshi përballjes me pandeminë, për fat të keq, nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Mos-kontrolli i rreptë i të gjithë atyre që vijnë nga vendet e prekura nga Virusi COVID-19, është gabim fatal. Neglizhenca e Qeverisë për të vepruar menjëherë për vendosjen e tyre në karantinë – përbën rrezik të madh për qytetarë tanë. Mos-aplikimi i testeve agresive, për t’i identifikuar të prekurit me virus të ardhur nga vendet me rrezik të lartë, e që do të ndikonte në parandalimin e përhapjes së virusit, është tregues i menaxhimit të keq që po i bëhet kësaj çështjeje”, tha Veseli.