Vetizolohet Lutfi Haziri, ishte në vendin ku këndoi këngëtari me koronavirus

Kryetari i Komunës së Gjilanit, dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka bërë të ditur se që nga mbrëmë është vetizoluar, pasi që ka qëndruar në një ambient të njëjtë me këngëtarin që doli se është i prekur nga koronavirusi.

Ai ka shkruar në profilin e tij, në Facebook se komuna në të cilën ai udhëheq ka marrë veprime konkrete për parandalimin e virusit.

“Ekipet komunale, në koordinim me të gjitha instancat lokale dhe regjionale, çdo ditë janë në luftë me këtë virus. Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë nga mbrëmja jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokolit shëndetësor”, ka  shkruar ai.

Lutfi Haziri tha se të gjithë personat që kanë qenë në ambient të njëjtë do të ju nënshtrohen testeve dhe vetizolimit.