Vetëm një i infektuar me COVID-19 në Qendrën e Studentëve

Drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta, ka njoftuar se në këtë qendër është vetëm një student i infektuar me COVID-19.

Sfishta tha se në këtë qendër deri më tash janë të vendosur 1 mijë e 600 studentë dhe në çdo dhomë është i vendosur vetëm një student, përveç atyre që kanë lidhje familjare mes vete.

“Është bërë vendosja e gjithë studentëve që është paraparë me rekomandimet e institucioneve shëndetësore me nga një student në dhomë, ku janë gjithsej 1.600 studentë që janë vendosur në konviktet e Qendrës Studentore. Deri më tash vetëm një rast ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Të gjitha masat janë marrë në mënyrë që të kontrollohen të gjithë studentët. Një student në një dhomë. Në raste të veçanta familjare janë vëllai me vëlla dhe motra me motër”, tha Sfishta për EO.

Gjithashtu, Sfishta theksoi se ushqimi u shpërndahet studentëve dhe ata e marrin atë të paketuar.

“Sa i përket vendosjes dhe menaxhimit në Qendrën e Studentëve, ky nuk do të jetë shkak që të rritet infeksioni sepse këta studentë janë vendosur në atë mënyrë që të ruhen edhe nga bartja e infeksionit dhe kemi respektuar të gjitha rekomandimet që kanë dalë nga IKSHPK. Studentët ushqehen në mensë dhe e marrin ushqimin e paketuar dhe është punë shtesë për stafin tonë”, shtoi Sfishta.