Zemaj: Gjendja me pandeminë është nën kontroll, nuk ka tendenca për alarm

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë që duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjendja me pandeminë është nën kontroll.

Zemaj, në mbledhjen e sotme të Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, ka shtuar se në dy javët e fundit janë raportuar 4 mijë e 122 raste pozitive, dhe 49 raste të vdekjes, ndërsa pozitiviteti është 1.18%.

“Kam kënaqësinë që përmes të dhënave të mbledhura nga IKSHPK-ja, të ritheksoj që gjendja e pandemisë në vendin tonë është nën kontroll dhe nuk ka tendenca për alarm të asnjë lloj natyre e cila mund të paraqitet. Përkujdesja ndaj pacientëve vazhdon të jetë e shkëlqyer”.

Tutje Zemaj tha se gjatë dy javëve, janë infektuar 4.122 persona me koronavirus, derisa ka thënë se ka një ulje të vdekjeve prej 1.16 për qind.

“Sipas gjinisë, meshkujt janë më të prekur, me rreth 51 për qind të infektuar dhe 49 për qind femrat. Deri më 21 shkurt, duke marrë për bazë rastet, numri i të sëmurëve 312 deri 317, dhe mesatarja në ditë do të jetë bazuar në situatën epidemiologjike. Duhet vazhduar masat rigoroze sipas komunave dhe duhet respektuar masat e tanishme”.

Ai ka shtuar se bazuar në situatën epidemiologjike, duhet të vazhdohen masat rigoroze dhe kufizimi i lëvizjes dhe aktiviteteve nëpër komuna duke i klasifikuar ato sipas kategorizimit në bazë të ngjyrave.

“Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës anti-COVID dhe vaksinimi i popullatës. Puna jonë është transparente dhe e pandalshme”.