Vetëm një muaj më parë i propozoi martesë të dashurës në New York, Laurent Krasniqi humbi jetën tragjikisht

Vetëm një muaj pasi i kishte bërë një propozim romantik për martesë partneres së tij, Lauretës, Laurent Krasniqi ka humbur tragjikisht jetën në një aksident me motor në Prishtinë.

Personazhi i njohur i rrjeteve sociale dhe ish-banori i Big Brother VIP Kosova kishte zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’i bërë propozimin të dashurës së tij.

Gjatë një fluturimi me helikopter mbi New York, me panoramën ikonike të qytetit në sfond, Laurenti i kishte kërkuar Lauretës të martohej me të.

Momenti romantik ishte publikuar në rrjetet sociale dhe ishte shoqëruar me pamje nga propozimi, ku Laureta shfaqej e emocionuar teksa tregonte unazën e fejesës, shkruan Gazeta Stop.

Propozimi ishte pritur me shumë reagime nga ndjekësit e çiftit, të cilët i kishin uruar për hapin e ri në lidhjen e tyre dhe për martesën e ardhshme.

Por, vetëm pak javë më vonë, planet për të ardhmen u ndërprenë tragjikisht.

Laurent Krasniqi humbi jetën mbrëmë në një aksident trafiku në fshatin Llukar të Prishtinës, ku u përfshinë një automjet dhe një motoçikletë.

Sipas Klinikës Emergjente të QKUK-së, Krasniqi, i lindur në vitin 1997, u soll në spital pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe vdekja e tij u konstatua në ora 21:40.

Humb jetën në aksident me motor ish-banori i Big Brother VIP, Laurent Krasniqi

Laurent Krasniqi ishte bërë i njohur për publikun përmes rrjeteve sociale, veçanërisht në TikTok, ku kishte një numër të madh ndjekësish. Ai ishte i njohur gjithashtu për pjesëmarrjen në Big Brother VIP Kosova 3.

Vdekja e tij ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa vetëm pak javë më parë, të njëjtat rrjete ishin mbushur me urime për fejesën e tij dhe një kapitull të ri që ai kishte nisur me partneren e tij.