Humb jetën në aksident me motor ish-banori i Big Brother VIP, Laurent Krasniqi

Lajmin për vdekjen e Krasniqit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla.

Sipas njoftimit të Klinikës Emergjente, Krasniqi, i lindur në vitin 1997, është sjellë në QKUK nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë pa shenja jete.

“Një i lindur më 1997, i sjellë nga ndihma e shpejtë pa shenja jete, aksident komunikacioni, i rrëzuar nga motori. Edhe përkundër të gjitha masave të RCP-së nga ekipi kujdestar, pacienti nuk mund t’u përballojë plagëve të marra dhe ndërron jetë në ora 21:40”, thuhet në njoftimin e drejtorit të Klinikës Emergjente.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën se në fshatin Llukar të Prishtinës ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, motoçiklisti ka vdekur. Vdekja e viktimës, mashkull, është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut”, ka deklaruar Ahmeti.

Laurent Krasniqi ishte bërë i njohur për publikun përmes rrjeteve sociale, ndërsa më pas mori pjesë edhe në Big Brother VIP Kosova, ku tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë qëndrimit në këtë reality show.

Krasniqi ndërroi jetë mbrëmë, në moshën 29-vjeçare, pas plagëve të marra në aksidentin e komunikacionit.